Patëllxhanë imam bajalldi
Për 4 – 5 persona:
5 copë patëllxhanë mesatare
½ kg qepë
½ kg domate
200 – 250 gr vaj
Kripë, majdanoz
piper e pak sheqer
Përgatitja:
1. Për të gatuar këtë gjellë më parë zgjedhim patëllxhanët, të cilave u heqim me thikë gjysmën e bishtit dhe pjesët e gjetheve përqark fundit të tyre.
2. Me majën e një thike çdo patëllxhani i heqim nga tre apo katër vija të thella, por jo deri aty sa të çahen deri në fund.
3. U hedhim kripë në të prerat dhe i lëmë ashtu siç janë deri në gjysmë ore.
4. Pastaj i kullojmë mirë e i skuqim me vaj.
5. Me vajin që mbetet nga skuqja e patëllxhanëve, skuqim qepët të cilat i kemi prerë feta – feta, hedhim dhe disa feta domateje, majdanozin të grirë trashë.
6. I mbushim patëllxhanët nëpër të çarat e tyre.
7. Në këtë lloj gjelle shkojnë shumë hudhrat (sipas dëshirave), thelpinjtë e të cilave i presim për së gjati dhe ua futim patëllxhanëve bashkë me mbushjen tjetër.
8. Po qe se tepron pak qepë e skuqur e shtrojmë atë në fund të tavës dhe pastaj i radhitim patëllxhanët.
9. U hedhim disa feta të domateve sipër, pak kripë e piper dhe të gjithë vajin që skuqëm qepën, shtojmë pak ujë e pastaj i futim në furrë për rreth një orë.
10. Furra të mos jetë shumë e nxehtë.
11. Për gatimin e kësaj gjelle ka disa mënyra, por në rastin konkret kjo gjellë kërkon të jetë si me shijë të ëmbël, por edhe vaji të jetë i bollshëm.
Komentoni për recetat që ndodhen në këtë faqe. Bëni kërkesat tuaja për receta të tjera që dëshironi dhe shpërdajeni këtë faqe me miqtë tuaj në facebook dhe google+